Një bombë e pa shpërthyer nga Lufta e Dytë Botërore pritet që të çaktivizohet këtë të premte në Gjermani, pasi u zbulua pranë shtëpisë së klubit të futbollit të Bundesligës, Mainz 05. Në një deklaratë, qyteti i Mainz tha se bomba amerikane me peshë 500 kilogramë u gjet nga ndërtuesit të premten. Kjo bëri që e gjithë zona përreth të evakuohej.
Arena MEWA e Mainz 05 ndodhet rreth 750 metra larg rrethit të evakuimit, megjithatë klubi vendosi që ta shtynte konferencën për shtyp për të martën. Edhe dyqani i klubit në stadium do të jetë i mbyllur, derisa bomba të jetë çaktivizuar. Megjithatë takimi i së dielës me Köln nuk pritet që të preket nga këto zhvillimet.
Sipas CNN, nuk dihet sesa kohë do të duhet për të çaktivizuar dhe larguar bombën nga vendi ku u zbulua, megjithatë besohet se janë rreth 3500 persona të cilët u prekën nga evakuimi. Puna për çaktivizimin e saj nisi në mesditë.
Prania e bombave të pashpërthyera nga Lufta e Dytë Botërore në Gjermani janë mjaft të zakonshme, aq sa kompanitë shpesh punësojnë skuadra private të çaktivizimit të bombave për të kontrolluar nëse zonat janë të sigurta në momentin që planifikojnë ndërtimin./tvklan.al