Deputeti i mazhorancës Spartak Braho u është përgjigjur deklaratave të Presidentit Ilir Meta që akuzon qeverinë për grusht shtetit ndaj Kushtetutës.

Duke folur në Komisionin e Sigurisë ku po diskutohej për aktin normativ “anti-KÇK”, Braho i konsideroi qesharake këto akuza duke thënë se nuk ka kuptim që mazhoranca të bëjë grusht shtetit kundër vetes së vetë.

“Unë çuditem me një gjë. Nuk e kuptoj alarmin e opozitës dhe të kreut të shtetit se po bën grusht shteti Edi Rama. Si mund të bëjë Edi Rama grusht shteti kundër vetes së tij? Grusht shteti bëjnë struktura të tjera. Përse do bëjë grusht shteti mazhoranca? Për të marrë pushtetin? E ka! Nuk e bën grushtin e shtetit ai që është në pushtet. Si mund të bëjë mazhoranca kundër vetes së saj”, tha deputeti Braho.

Presidenti Meta takoi një ditë më parë edhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, të cilin e informoi për “përpjekjet e Rilindjes për grusht shteti”. /tvklan.al