Kuvendi nisi sesionin e ri parlamentar këtë të hënë. Siç e do tradita në këtë seancë plenare mbajnë fjalime krerët e grupeve parlamentare për të folur në lidhje me objektivat e punës së tyre.
Në fjalën e tij, kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, u shpreh se sesioni i ri nuk ka për të qenë i ndryshëm nga ato paraardhës.
“Unë kam bindjen që ky sesion që sapo nisëm nuk ka për të qenë i ndryshëm nga 11 vitet e keqqeverisjes së Edi Ramës sepse vullneti i Ramës nuk do të jetë të bëjë punë të mira në të mirë të qytetarëve. Kjo mazhorancë, kjo qeveri e ka kthyer Kuvendin në noter të ligjeve klienteliste apo korruptive”, tha Bardhi.
Ai theksoi se, “Kuvendi është kthyer në organin që dhunon më së shumti ligjin”.
Këtu mori shembull vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që sipas Bardhit, “e kanë zënë në flagrancë Kuvendin në më shumë se 5 raste”.
Në fjalën e tij, Bardhi foli edhe për marrëdhënien e kryeministrit Edi Rama me Kuvendin. Sipas kreut të grupit të PD-së, kreu i qeverisë refuzon të japë llogari.
“Mjafton të shikosh raportin që ka kryeministri me Kuvendin. Refuzon Kuvendin, refuzon të japë llogari, refuzon të përmbushë detyrimet kushtetuese për të raportuar. I fshihet opozitës. Prandaj Edi Rama ka refuzuar në vazhdimësi të përballet me opozitën në interpelanca dhe jo në çështje periferike, por në çështje ku është i përfshirë drejtpërdrejt”, tha Bardhi.
Ai bëri thirrje që deputetët të votojnë gjatë këtij sesioni për interesin publik dhe për ata që i kanë votuar, qytetarët.
“Grupi im parlamentar, opozita, do të qëndrojë fort për interesin e qytetarëve me qëllimin e vetëm që shqiptarët të kenë mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu”, përfundoi fjalën e tij Gazment Bardhi./tvklan.al