Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha premton një fushatë elektorale të qetë dhe që në bazë të saj do ketë konkurrencën përmes alternativës, ndërsa thekson se me ardhjen në pushtet 100 ditët e para do jenë “ditët e transformimit për Shqipërinë”.
Por nëse mazhoranca qeverisëse do të shpalosë atë ai e konsideron shtetin elektoral, atëherë opozita do të përgjigjet me zemërimin e qytetarëve.
“Ne jemi të përgatitur për një fushatë elektorale të ndershme, të qetë, të drejtë, të konkurrojmë me alternativë. Por në qoftë se ai shpalos shtetin elektoral, ne do shpalosim zemërimin e qytetarëve kundër shtetit elektoral. Pra, data 8 është dita në të cilën ne tregojmë të gjithë fuqinë tonë në mbrojtje të votës së lirë dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Berisha.
Akuzat më të ashpra për manipulim të zgjedhjeve i drejtoi ndaj numrit dy të qeverisë.
“Në këtë periudhë, Edi Rama është angazhuar në krime të mëdha elektorale. Krimin shtetëror elektoral e kryeson Lubi Balluku. E kryeson ky person, që në vjedhjet e saj tejkalon pas Edi Ramës çdo person tjetër në historinë e vendit. Kjo ka hapur zyrat në të gjithë Myzeqenë me punonjësit e ministrisë, të cilët ngulen aty si xhandarë elektoralë, si terroristë elektoralë”, tha Berisha.
Nuk la pa përmendur faktet e reja të nxjerra nga Arben Ahmetaj. Madje për Berishën është ky i fundit që i ka bërë “autopsinë e saktë klanit Rama”.
“Ju dhe qytetarët e dëgjuan autopsinë që i bëri klanit Rama, Ballukut dhe Dumanit, Arben Ahmetaj me një vërtetësi të jashtëzakonshme. Me dokumente, dy urdhër arresti të anuluara për AKSHI-n, e cila qindra milionë euro i ka ndarë me Edi Ramën nëpërmjet baxhanakut të Edi Ramës. Ai, si njeri që njeh nga viti 2013 gjer në vitin 2022, me hollësi çdo zhvillim, u tha shqiptarëve se Erion Veliaj ka firmosur dhe është pronar në djegësin e Tiranën, por firmën e ka vënë nën presionin e madh të Edi Ramës. Çka dëshmon se pse për Erion Veliajn, Edi Rama tha se po ia linçojnë familjen. Cilën familje? Familjen që iu gjetën vetëm fatura të garderobës 200 e ca mijë euro”, tha Berisha.
Veç luftës ndaj korrupsionit, Berisha tha se do të përgatisin një seri aktesh për “desorosizmin e Shqipërisë”.
“Në përgatitjen tonë është e domosdoshme një seri aktesh vendimesh që sjellin desorosisizmin e shoqërisë shqiptare. Është fakt i pamohueshëm se në botë kopshti eksperimental, u bë Shqipëria.”
Ndërsa në orët e pasdites, Berisha prezantoi programin qeverisës për arsimin, ku premtoi dyfishim të buxhetit për këtë sector që sipas tij ka rënë në agoni për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës.
“Nuk mund të paguajë studenti në Shqipëri tarifë 2-3 herë më të larta se në Austri apo se studenti në Gjermani, apo në Francë. Këto janë gjëra absurde. Merr fund kjo, tarifat minimumi do të përgjysmohen. Buxheti do të dyfishohet për arsimin.”
Përpara pedagovëve e arsimtarëve, Berisha u zotua se transformimi i arsimit do të bazohet në atë dixhital.
Tv Klan