Sekretari i Brendshëm britanik, Sajid Javid i ka thënë BBC-së se e ka nënshkruar një urdhër ekstradimi në Shtetet e Bashkuara, për themeluesin e Wikileaks, Julian Assange.
Javid, tha se vendimi përfundimtar për ekstradimin e Assange, do të merret më 14 qershor, në një gjykatë britanike. Assange, përballet me një aktakuzë me 18 pika nga Shtetet e Bashkuara, për publikim të informacionit të klasifikuar dhe komplot me ish-ushtaren amerikane, Chelsea Manning, për të ndërhyhë në kompjuterët e departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së.
Aktakuza, e lëshuar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në maj, është ngritur në bazë të Aktit të Spiunazhit.
Assange, 47-vjeçar, u dëbua më 11 prill nga ambasada ekuadoriane në Londër, ku ai ishte strehuar që nga viti 2012, pasi Ekuadori i pati dhënë atij azil politik.
Ai u arrestua nga policia britanike, dhe aktualisht po vuan dënimin prej 50 javësh, për shkeljen e lirimit me kusht. Organet e drejtësisë në Suedi gjithashtu kanë kërkuar të marrin në pyetje Julian Assange, për një rast përdhunimi të supozuar, të cilin Assange e ka mohuar. /REL