Në analizën më të fundit të Bankës së Shqipërisë mbi kreditimin vihet re se kompanitë kanë kërkuar më shumë mbështetje financiare për investime. Banka Qendrore nënvizon se rritja e kërkesës për kredi ishte e pranishme në të gjitha segmentet e madhësisë së biznesit, si në financimin e investimeve, ashtu edhe në financimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet.

Duke parë gjykimin e bankave, përmirësimi i mëtejshëm i tablosë makroekonomike nxiti kërkesën më të lartë për kredi, për të dytin tremujor radhazi të këtij viti. Gjithashtu niveli i përgjithshëm i normave të interesit dhe treguesi i besimit të biznesit mbështetën zgjerimin e kërkesës për kredi. Por pavarësisht kësaj shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e ulët në tremujorin e tretë të 2024.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, totali i kredisë ka arritur në mbi 812 miliardë lekë në Gusht të këtij viti, me një rritje prej 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Referuar tablosë ekonomike, sipas ekspertëve ecuria pozitive e turizmit ka nxitur bizneset që operojnë në këtë sektor që të shtojnë investimet, në staf, shërbime dhe infrastrukturën e tyre.

Klan News