Standardet e kreditimit për bizneset mbetën të pandryshuara në tremujorin e katërt të vitit 2024. Sipas Bankës së Shqipërisë ato u raportuan thuajse të pandryshuara në kreditë për biznesin e madh dhe atë të vogël e të mesëm.

Në kahun lehtësues të standardeve të kreditimit u raportuan kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci. Në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit ndikuan perceptimi i rrezikut mbi aftësinë paguese të kredimarrësit dhe mbi kolateralin e kërkuar, si edhe tolerancë më e ulët e bankave kundrejt rrezikut.

Nga ana tjetër, bankat raportuan marzhe më të larta mbi kreditë me rrezik, si edhe shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë të nënshkruara me bizneset.

Elementet e tjera joçmim nuk ndryshuan nga një tremujor më parë.

Kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rritje edhe në tremujorin e fundit të vitit të 2024. Kërkesë e lartë për kredi u raportua si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë.

Nga ana tjetër në tremujorin e parë të këtij viti, standardet e kreditimit priten të mbeten të pandryshuara në kreditë për biznesin e madh dhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet sipas Bankës së Shqipërisë.

Ndërsa kreditë për biznesin e vogël e të mesëm, si dhe kreditë për financimin e investimeve, standardet e kreditimit pritet të lehtësohen.

Klan News