Ekonomia shqiptare vijon të ketë një trend pozitiv, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektivin 3% brenda vitit 2025.
Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, institucioni që ai drejton do të mbështesë sektorin e Bujqësisë dhe bizneset e vogla me një fond prej 250 milionë Eurosh.
“Banka e Shqipërisë në këtë kontekst ka vendosur që ta mbështesë sektorin e Bujqësisë, Agroturizmin dhe të gjithë bizneset e tjera të vogla dhe të mesme me një limit për çdo biznes të vogël e të mesëm deri në nivelin e 25 milionë Lekëve. Do të afrojmë një normë më të ulët interesi për financimin e këtyre bizneseve”, tha Gent Sejko.
Lidhur me luhatjet e monedhës europiane, Guvernatori Sejko theksoi se vetëm gjatë 2024 Banka Qendrore ka tërhequr nga tregu rreth 1 miliardë euro.
“Banka e Shqipërisë ndërhyn në tregun valutor me kritere të përcaktuara qartë sipas kërkesave ligjore dhe rregullatore që ajo ka. Natyrisht, që çdo blerje që ne bëjmë shkon për atë treg të rritjes së reserves valutore të Bankës së Shqipërisë. Vetëm gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu rreth 1 miliardë Euro për efekt të rezervës valutore“, tha Sejko.
Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë normën bazë të interesit te pandryshuar në 2.75%, duke pasur parasysh që inflacioni po tregon një tendencë rënie.
Klan News