Banka e Shqipërisë, përmes një instrumenti bankar me një financim prej 250 milionë Eurosh do të mbështetesë investimet në sektorin e bujqësisë dhe agroturizmit.

Për këtë hap të rëndësishëm Kryeministri Rama u shpreh se ky sektor merr një hov tepër të madh.

“Ne kemi vendosur një objektiv tepër ambicioz që në Shqipëri 2030, eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliardë Euro. I kemi katërfishuar sepse sot jemi mbi 500 milionë Euro eksporte. Arritja e objektivit prej 1 milionë Eurosh kërkon fuqi të shtuar të sektorit, një fuqi të shtuar të fermerëve dhe kjo fuqi e shtuar do të vijë përmes investimeve dhe përmes rritjes së volumit të sipërmarrjes në fushatë”, tha Edi Rama.   

Rama shtoi se mbështetja nuk do të ndalet me kaq pasi shumë shpejt do të miratohet edhe “Paketa e Maleve”.

“Agroturizmi është një tjetër prioritet, padiskutim, dhe do t’iu përcjellim edhe ju menjëherë sapo të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Paketa e Maleve krijon një lehtësi të re në raport me kolateralet”, tha Rama.  

Ndërsa Guvernatori Gent Sejko tregoi dhe arsyet përse u mor vendimi për mbështetjen e sektorit të Bujqësisë nga Banka Qendrore.

“Sektori bujqësor punëson 1/3-tën e fuqisë punëtore të vendit dhe gjeneron rreth 20% të prodhimit kombëtar. Megjithatë, edhe pas tre dekadash tranzicioni, ai vijon të karakterizohet nga një nivel i ulët produktiviteti dhe të ardhurash”, tha Sejko.

Mbështetjen për sektorin e bujqësisë e kanë konsideruar si tepër të rëndësishme dhe të duhur edhe Ministri Malaj dhe Ministrja Denaj.

“Duke synuar që ta zhvillojmë më tej, ne kemi planifikuar më shumë shpenzime buxhetore për sektorin e bujqësisë për këtë vit duke arritur në rreth 146 milionë Euro, ku vetëm për skemën kombëtare të fermerëve dhe subvencionimit të naftës kemi alokuar rreth 4.4 miliardë Lekë”, tha Petrit Malaj

“Një hap cilësor në zhvillimin e një sektori shumë të rëndësishëm që angazhon më shumë se 33% të forcës së punës në zonat rurale dhe kontribuon në mënyrë të ndjeshme në Produktin e Brendshëm Bruto”, tha Anila Denaj.    

Falë asistencës dhe kërkesës në rritje për cilësi dhe përshtatshmëri me kriteret e BE-së, janë duke u ndjekur edhe 3 kapitujt 11, 12 e 13 dhe tregje shumë të rëndësishme që lidhen drejtëpërdrejtë me sigurinë ushqimore, atë të shëndetit të bimëve dhe kafshëve.

Klan News