Kreditë me probleme gjatë vitit 2024 kanë shënuar qëndrueshmëri sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë duke u luhatur në kufijtë e 4.6 deri në 4.9%.
Vetëm në muajin Maj, kjo kategori kredish rezultoi në vlerat e 4.8%, me një rënie të konsiderueshme krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2023 që kishte vlerat e 5.2%, sipas shifrave të Bankës Qendrore.
Këto shifra tregojnë se qytetarët i kanë shlyer në kohë huamarrjet e tyre, për shkak të normave të interesit. Ndërsa nëse shohim portofolin e kredive me probleme në vitin 2022 veçanërisht në muajin Maj ato rezultonin në vlerat e 5.4%.
Përgjithësisht sipas analizave të Bankës Qendrore dhe ekspertëve ndikim negativ tek kreditë me probleme ka kryesisht edhe efekti i rritjes së interesave të euros, për shkak të dobësimit të kësaj valute kundrejt lekut.
Ndërsa për huamarrësit me të ardhura në lekë, efekti i rritjes së interesave është amortizuar nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit. Nga ana tjetër, kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme, kryesisht për banesa, nga individët mbetet ndër produktet me performancën më të mirë për sektorin bankar. Bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë 5 vitet e fundit, portofoli i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët është rritur me më shumë se 70%.
Klan News