Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, sistemi financiar njohu vetëm zhvillime pozitive. Rritja e konsumit apo rritja e pagave dhe ulja e papunësisë kanë qenë indikatorët kryesorë në rimëkëmbjen e ekonomisë.
Diana Shtylla, departamenti i Stabilitetit Financiar, BSH: Rritja ekonomike është manifestuar kryesisht në rritjen e konsumit dhe investimeve private dhe është mbështetur në zhvillimet pozitive në tregun e punës, rimëkëmbjen e tregtisë dhe shërbimeve dhe në kushte më të lehtësuara të financimit. Norma e papunësisë, treguesit e pagave, numri i të punësuarve flasin po ashtu për përmirësim të dukshëm në tregun e punës. Nga ana tjetër edhe treguesit e sektorit fiskal kanë shënuar zhvillime pozitive në drejtim të defiçitit buxhetor dhe të borxhit publik.
Kredia në Lekë për pasuri të paluajtshme ka rezultuar me rritje sipas Bankës së Shqipërisë, trend i cili pritet të vijojë deri në fund të vitit.
Diana Shtylla, departamenti i Stabilitetit Financiar, BSH: Kredia ka shënuar rritje të konsiderueshme dhe rritja më e fortë është vënë re në portofolin e kredisë në Lekë. Sa i përket qëllimit të përdorimit rritja e kredisë ka financuar më tepër sektorin e pasurive të paluajtshme qoftë për individët apo sektorin e biznesit. Sipas vrojtimit që bëjmë me bankat, bankat presin që kjo prirje për një kërkesë të fortë dhe të qëndrueshme nga të dy sektorët të vijojë edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit.
Presionet inflacioniste kanë vijuar të bien përgjatë 6-mujorit të 2024 duke bërë që inflacioni të jetë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Por nga ana tjetër ky institucion evidenton se rreziqet për ekonominë dhe financat në vend mbeten të pranishme, sidomos nga faktorët e jashtëm.
Klan News