Parlamenti pritet të rikthehet në situatën e tensionuar pasditen e së hënës pas disa muajsh “armëpushimi” mes opozitës dhe mazhorancës socialiste. Situata e qetë politike nuk zgjati shumë me të vetmet produkte konsensuale, marrëveshjen për votën e diasporës dhe Amnistinë Penale. Dënimi dhe burgosja e deputetit Salianji e ka detyruar Partinë Demokratike që të ndërpresë edhe një herë marrëdhëniet normale institucionale me mazhorancën socialiste në Kuvend.
Gjithashtu PD pritet që krahas tensionit politik në parlament, të përshkallëzojë reagimin e saj në vend me protestat dhe me mosbindjen civile që nisin nga 6 Tetori.
Opozita nuk ka sqaruar nëse do të bojkotojë seancat plenare apo vetëm nuk do të lejojë zhvillimin normal të tyre siç bëri një muaj më parë.
Në prag të fillimit aktual të negociatave me BE-në për kapitullin e parë të grupit më 15 Tetor, Partia Demokratike e ka dërguar “dosjen Salianji” në kancelaritë ndërkombëtare nga Brukseli në Uashington.
Është e paqartë nëse klima e tensionuar politike në ditët në vijim do të ndikojë në vendimmarrjen e institucioneve europiane që kanë dhënë dritën jeshile për përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar synohet angazhimi i strukturave të Partisë Demokratike për realizimin e aksionit të ri opozitar, në rrugë dhe sheshe në të gjithë vendin. Kryetari Berisha ka paralajmëruar se beteja e Partisë Demokratike nuk do të ndalet deri në formimin e një qeverie teknike që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve parlamentare.
Klan News