Sekretariati i Etikës ka vendosur masa disiplinore për 24 deputetët demokratë të cilët ditën e hënë bllokuan zhvillimin e seancës plenare të Kuvendit. Për ata që ishin zjarrndezësit e karrigeve opozitare në oborrin e parlamentit dhe që qëlluan në drejtim të kryetares Spiropali me këmbët e karrigeve të dëmtuara, masa ishte më ekstremja e dhënë ndonjëherë që prej ndryshimit të rregullores së Kuvendit.
Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledjon Nallbati përjashtohen për 60 ditë nga punimet e Kuvendit. Denimin më të lehtë pas këqyrjes së pamjeve filmike nga kryetarja e këtij Sekretariati Klotilda Bushka, e cila nuk ishte në seancën e ditës së hënë, iu dha Edi Palokës me 10 ditë, ndërsa 20 deputetët e tjerë të opozitës u përjashtuan të gjithë për 40 ditë.
Por vendimarrja e përfaqësuesve të shumicës në Sekretariat erdhi pas debateve të shumta me deputetët e opozitës për të cilët ishte kërkuar masë disiplinore, të cilët për disa minuta ia dolën të pengonin zhvillimin e mbledhjes. Noka i ndoqi socialistët deri në zyrën e grupit të tyre parlamentar ku u mblodhën në pritje të qetësimit të situatës.
Më pas demokratët u larguan me premtimin që në seancën e nesërme socialistët nuk do të gjejnë sërish qetësi.
Këtë të Enjte paradite Kuvendi ka sërish seancë plenare ku pritet përsëri të ketë kaos pasi kryetari i tyre i grupit parlamentar demokrat paralajmëroi në rrjetet sociale se do të vazhdojnë të jenë përballë kryeministrit si brenda dhe jashtë Kuvendit. Përjashtimet Bardhi i lexon si frikë të Edi Ramës të cilit i kujton se këto masa ndaj opozitës nuk ia ndryshojnë dot fatin që i kanë përcaktuar shqiptarët.
Klan News