Parashikohen 389 milionë lekë të ardhura nga ky zë buxhetor
Qeveria parashikon në ligjin për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm se do të mbledhë 389 milionë lekë tatim mbi fitimin të thjeshtuar për biznesin e vogël.
Në tabelat e miratuara nga Këshilli i Ministrave rezulton se tatimi mbi fitimin për këtë kategori, pritet të rritet vitin e ardhshëm me 20 milionë lekë, ndërsa në parashikimet buxhetore afatmesme, të ardhurat nga kjo taksë në vitin 2022 projektohen të jenë 413 milionë lekë dhe 442 milion pas dy vjetësh.
Tatimi i thjeshtuar mbi biznesin e vogël paguhet që prej vitit 2016 vetëm nga 5300 subjekte mes fashës 5 deri në 8 milionë lekë xhiro në vit, me një shkallë tatimore 5%, por me ndryshimin e ligjit të sistemit të taksave vendore, parlamenti hoqi edhe këtë barrë për biznesin e vogël, si një masë për ta ndihmuar atë për rikuperim nga pandemia e Covid.
Ligji i miratuar për sistemin e taksave vendore përjashton të gjithë bizneset me xhiro deri në 8 milionë lekë që të paguajnë tatim-fitim, ndërsa ligji i tatimit mbi të ardhurat hoqi këtë ngarkesë edhe për ata me xhiro deri në 14 milionë lekë.
Të kontaktuar zyrtarisht nga Televizioni Klan, zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë thanë se ndryshimi i këtij zëri që pritet të mbledhë tatim nga biznesi i vogël është në dorën e kuvendit, pasi deri në momentin e miratimit të buxhetit nga qeveria, parlamenti nuk kishte miratuar ende ndryshimet për heqjen e tatimit.
Tv Klan