Nis punën tuneli i Llogarasë, vazhdon financimi për akset e nisura
Një nga veprat më të rëndësishme që do të ndërtohen në infrastrukturën rrugore vitin e ardhshëm është Tuneli i Llogarasë.
Vlera totale e Tunelit 6 kilometra të gjatë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 187 milionë dollarë, ndërsa menjëherë vitin e ardhshëm buxheti do të financojë 40 milionë dollarë, për të përfunduar pas 3 vjetësh.
Ministria e Financave parashikon edhe nisjen e 3 akseve rrugore të reja vitin tjetër: rrugën Milot-Fier, që do të jetë investim privat, dhe dy projektet me partneritet publik-privat: Dukat-Orikum dhe Milot-Balldre.
Buxheti do të vazhdojë financimin për përfundimin e rrugës kombëtar Kardhiq-Delvinë, por fondet për këtë vepër dhe nënkalimin në Sheshin Shqiponja janë zgjatur deri në fund të vitit 2023.
Ekzekutivi do të mbështetë me fonde rehabilitimin e Unazës Lindore të kryeqytetit dhe për nisjen e punimeve në pjesë të tjera të saj, punimet në aksin Korçë-Ersekë, Bypass-in e Shkodrës dhe të Tepelenës.
Përmes financimit të huaj do të vazhdojnë punimet në Bypass-in e Vlorës dhe rrugën Qukës-Qafë Plloçë, ndërsa pritet të përfundojnë punimet në rrugën e Arbrit, e cila është investim privat me formulën PPP.
Në total buxheti i rrugëve për vitin e ardhshëm është 150 milionë dollarë, ku nëse llogariten edhe pagesat për koncesionet në këtë infrastrukturë, shuma totale arrin në 200 milion dollarë.
Tv Klan