Buxheti i vitit 2025 po diskutohet mes debateve nen për nen në Parlament. Opozita ka paraqitur 55 amendamenti që kërkon të përfshihen në buxhetin e vitit të ardhshëm, 34 prej tyre janë vetëm të PD. Ashtu siç ishte paralajmëruar, PS ka votuar kundër amendamenteve të PD, duke shkaktuar debate.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, propozoi amendamentin për caktimin e minimumit jetik prej 200 Eurosh. Sipas tij, kjo gjë do të bënte që të mos kishte pensione dhe ndihmë ekonomike nën 200 Euro për qytetarët.
Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm PD: 500 mijë pensionistë marrin pensione me më pak se 20 mijë Lekë në muaj. Çfarë tregon kjo? Se ju nuk po ndërtoni një shtet social, por një shtet shpirtzi.
Ky amendament u rrëzua nga PS, por nuk kaloi dhe pa një përgjigje nga mazhoranca. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, tha se opozita po përdor pensionistët për politikë, ndërsa theksoi se punën e PS për pensionistët do e vlerësojnë qytetarët me votë në zgjdhjet e ardhshme.
Belinda Balluku, Zëvendëskryeministre e Shqipërisë: Ju jeni ata që e keni pasur 8 vite në dorë për të reformuar pensionet dhe nuk e bëtë kurrë dhe erdhi Edi Rama, erdhi Partia Socialiste dhe u bë kështu që kush jemi ne dhe kush jeni ju këtë nuk ka nevojë ta sqarojmë në këtë sallë sepse këtë e sqaron populli shqiptarë dhe në 11 Maj do ta sqarojë edhe njëherë.
Foli dhe për investimet në infrastrukturë, duke thënë se 90% e buxhetit të transportit rrugor për vitin e ardhshëm janë për projektet që tashmë ka nisur puna.
Belinda Balluku, Zëvendëskryeministre e Shqipërisë: Prej kohësh kemi marrë angazhimin duke nisur nga vitit 2019 të gjitha debitet e trashëguara ndër vite apo ato që krijohen gjatë vitit ne i mbyllim duke i dhënë mundësi kantiereve që të përfundojnë. 90% e buxhetit i vendosur në zërin e programit të transportit rrugorë janë projekte në vazhdim.
Një tjetër amendamenti i PD që shkaktoi debate në Parlament ishte edhe Rritja e fondeve për kompensimin e ish-pronarëve. Ky amendament u propozua nga demokrati Oerd Bylykbashi, i cili tha se qeveria ka ulur fondin në buxhetin e këtij viti sepse nuk do që të kompensojë ish-pronarët.
Oerd Bylykbashi, Deputet i PD: 12 vite të qeverisjes tuaj keni krijuar një mekanizëm për kthimin dhe kompensimin e pronës që ka vetëm një synim si të mos të kthejë pronën.
Akuzave të Bylykbashit, iu përgjigj ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë: Po mo zoti Bylykbashi, borxh moral është edhe kompensimi i ish-pronarëve edhe kompensimi i ish-të përndjekurve. Çfarë bëtë ju për të shlyer këtë borxh moral kur ishit në pushtet.
Socialistët janë të vendosur për të rrëzuar të gjithë amendamentet që vijnë nga opozita, duke i konsideruar të panevojshëm. Në përfundim të seancës, pritet të bëhet miratimi i buxhetit në tërësi. Për miratimin e buxhetit mjaftojnë vetëm 71 vota, vota të cilat nuk i mungojnë mazhorancës.
Klan News