“Gjykata vendosi, vulën e PD-së e ka Sali Berisha”, është kjo tema në të cilën është fokusuar mbrëmjen e sotme emisioni “Opinion” në Tv Klan. I ftuar në studio, nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi është shprehur se vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit është i ekzekutueshëm dhe njeh Kuvendin e Jashtëzakonshëm të datës 11 Dhjetor 2021. Gjatë fjalës së tij, Bylykbashi është shprheur se Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj nuk mund të përdorin më emrin e PD-së.

Oerd Bylykbashi: Vendimi i sotëm njeh Kuvendin e Jashtazakonshëm të PD-së të datë 11 Dhjetor 2021 me të gjitha vendimet e tij. Basha ka deklaruar se do të pranojë vendimin dhe nuk do të ketë ankimim. Unë uroj që për të mirën e demokratëve nuk e vazhdon këtë sagë, që ai është autor prej 2 vitesh e gjysëm.

Blendi Fevziu: Ju keni pasur një vendim të Shkallës së Parë që njihte Kuvendin e 11 Dhjetorit, por nuk regjistrohej në gjykatë. Tani çfarë garancish kemi që do të regjistrohet?

Oerd Bylykbashi: Ishte gjëja më normale që ai vendim të regjistrohej siç ka qenë praktika më herët, vendosën të mos e bënin këtë gjë. Ky është vendim i formës së prerë, është i ekzekutueshëm. Nga sot regjistrohet PD. Njihet Komisioni i Rithemelimit. Më pas ka akte të tjera, siç është zgjedhja e Sali Berishës dhe të gjitha këto regjistrohen në gjykatë. Të gjitha janë akte që depozitohen për t’u regjistruar. Përsa kohë që të gjithë pranojmë që PD është kjo, këto janë procese të thjeshta. Gjykata mblidhet pa palë dhe shqyrton, dhe regjistrohen me radhë të gjitha aktet që vijojnë.

Blendi Fevziu: Domethënë Basha me Alibeaj janë ilegalë tani? Ata nuk mund të përdorin më emrin PD-ja dhe as logot?

Oerd Bylykbashi: Ata nuk mund të përdorin më PD-në. PD me vulë dhe PD pa vulë nuk qëndron bashkë. Sot janë bashkë si simbolet, ashtu edhe organet. Lulzim Basha dhe pak vetë, këtë përpjekje për ta çarë e bënë dhe 2 vite e gjysëm ata janë autorët e kësaj situate që nga 11 Dhjetori. 3 vjet qëkur filloi një lëvizje politike e paprecedentë.


/tvklan.al