Shqipëria do të ngrejë një Task-Forcë diplomatike për njohjen nga sa më shumë vende të Pavarësisë së Kosovës. Lajmi është bërë me dije nga ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Cakaj e konsideron të papranueshme fushatën që ka ndërmarrë Serbia që shtete të caktuara të tërheqin njohjet e Pavarësisë së Kosovës.

“Për ne është e papranueshme fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës dhe Shqipëria do të ngrejë një Task-Forcë të veçantë për të adresuar këtë problem”,

tha Cakaj.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse në ambasadat shqiptare do të vendosen ambasadorë shqiptarë të Kosovës, ministri në detyrë nuk e mohoi një fakt të tillë. Ai sqaroi se do të ketë 4 pika si do të veprohet për të forcuar rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ministria e Jashtme do të ngrejë Task-Forcën për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës me diplomatët më të kualifikuar nga Kosova dhe Shqipëria. Do të procedohet shumë shpejt me marrëveshje ndërministrore me 4 komponente.

“E para, ambasada për përdorim të përbashkët. Elementi i dytë do të jetë konsullor. Planifikojmë hapjen e menjëhershme të tre konsullatave të reja. Elementi i tretë do të jetë profesional që përfshinë mundësinë e këmbimit të stafit profesional. Dhe i katërti do të jetë elementi kulturor”

, u shpreh ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj.

/tvklan.al