Ashtu siç ishte planifikuar, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka vizituar ishullin e Santorinit i cili po përballet me tërmete të vazhdueshme.
Ai i ka kërkuar publikut të qëndrojë i qetë dhe të ndjekë këshillat e shërbimit të mbrojtjes civile.
“Jam këtu për të thënë se shteti është afër jush. Një shtet serioz duhet të përgatitet për skenarin më të keq me shpresën se më e mira do të vijë. Santorini është një destinacion ikonik dhe është detyra jonë të mbrojmë reputacionin e tij. Shpresojmë që ky fenomen të përfundojë shpejt dhe ishulli të kthehet plotësisht në ritmin e tij normal”, u shpreh Kyriakos Mitsotakis.
Gjatë vizitës së shkurtër në ishull ai shtoi se shteti grek është i përgatitur për të gjitha skenarët. Autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në Santorini të enjten pasi qindra tërmete tronditën ishullin e njohur turistik gjatë javës së kaluar, duke shkaktuar evakuimin e më shumë se 10,000 personave.
Shteti fqinj është një nga vendet më të prekura nga tërmetet në Evropë, por aktiviteti i lartë sizmik në zonën e Santorinit është i paprecedentë, thonë sizmologët, duke paralajmëruar se ky fenomen mund të zgjasë me javë ose muaj.
Klan News