Nuk ka ende asnjë përgjigje zyrtare nga Rusia mbi propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor në Ukrainën.
Të enjten në mbrëmje Presidenti Putin takoi shkurtimisht të dërguarin amerikan Steve Witkoff. Më pas Kremlini tha se Putini do të bisedojë dhe vetë me Trumpin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë të premten se Putini i ka dërguar Trumpit një mesazh për propozimin e tij për armëpushim dhe shtoi se ka arsye për të qenë optimist për një zgjidhje, por duhet bërë më shumë punë.
Një ditë më pas Presidenti amerikan Donald Trump i quajti “diskutimet të mira dhe produktive”.
Sipas tij tani ekzistojnë të gjitha mundësitë “që lufta të përfundojë”, por paralajmëroi se mijëra trupa ukrainase janë rrethuar nga ushtria ruse në Kursk dhe ndodhen në një “pozitë shumë të keqe dhe të cënueshme”.
Ai i bëri thirrje Putinit t’iu falë jetën dhe t’i lejojë të tërhiqen. Por ushtria ukrainase tha se trupat e saj nuk janë rrethuar dhe janë tërhequr në pozicione më të favorshme.
Është e paqartë se ku informohet kreu amerikan dhe analistët druajnë se ai përsërit propagandën e Kremlinit.
Pas deklaratave të presidentit Shtëpia e Bardhë shtoi se “nuk kemi qenë kurrë më afër paqes.”
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky kritikoi Putinin për vendosjen e qëllimshme të kushteve që “zvarritin” procesin e armëpushimit.
Ai akuzoi Putinin se gënjen për atë që po ndodh në fushën e betejës, numrin e viktimave dhe gjendjen e ekonomisë ruse.
“Putini nuk mund të largohet nga kjo luftë, sepse do ta lërë duarbosh,” tha ai, ndërsa kërkoi më shumë presion ndaj Rusisë.
Në Kanada u mblodhën ministrat e Jashtëm të G7-s që i kërkuan Rusisë të pajtohet me marrëveshjen e armëpushimit.
Për shkak të vazhdimit të negociatave për armëpushim, SHBA-ja nuk ka lejuar që në deklaratën e përbashkët të përfshihet mbështetja për Ukrainën.
Klan News