Trajneri i Real Madridit Carlo Ancelotti refuzoi që të bëhej pjesë e diskutimeve rreth eliminimit të Atletiko Madridit nga Liga e Kampioneve.

UEFA njoftoi se ishte marrë vendimi i duhur për të anuluar penalltinë e lojtarit të “Los Kolçoneros” Julian Alvarezit në sfidën e kthimit të të 16-ve të Ligës së Kampioneve ndaj Real Madridit

Por institucioni numër 1 i futbollit europian sqaroi se do të diskutohet në lidhje me rishikimin e rregullores.

Alvarez rrëshqiti dhe aksidentalisht pati kontakt me topin dy herë, ndërsa bëri gol gjatë gjuajtjes së penalltive.

“Për ne ndeshja ka përfunduar! Jemi të lumtur që gjendemi në çerekfinale! Për çdo gjë që ndodhi gjatë kësaj sfide, tani ne e kemi fokusin në takimin tjetër. Nuk e kam idenë se çfarë do të bëja, sepse nuk jam në atë pozicion. Ka një rregull, e deri sa të jetë ky rregull duhet ta respektojmë”.

Rivali i radhës i “Los Blankos” do të jetë Vijareali ne La Liga.

“Sa i përket rekuperimeve, pak kohë ka kaluar. Ekipi i plotë ende nuk është i gjithi! Por do të jemi më mirë për këtë takim. Por është një aspekt që duhet ta marrim në konsideratë, ndërsa do të përballemi me një rival që gjithnjë ka qenë i komplikuar”.

Vetëm 1 pikë ndan tre klubet më të mëdha të Spanjës në garën për titullin në La Liga.

Barcelona kryeson me 57 pikë, ndjekur nga Reali që ka golavarazh më të mirë se sa Atletiko, me të dyja skuadrat madrilene që kanë nga 56 pikë.

Klan News