Betejat ligjore të Manchester City duket se nuk kanë fund. Gjiganti anglez humbi gjyqin me ish-mbrojtësin Benjamin Mendy që tashmë i detyrohet mbi 13 milionë euro.

Shifër që lidhet me prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme nga ana e Cityt, me Mendy që ishte nën akuzë për ngacmim seksual, por që në fund rezultoi pa faj. Futbollisti francez arriti të fitojë pagën e pothuajse dy viteve, konkretisht nga shtatori 2021 deri në qershor 2023.

Ai kërkoi rrogën dhe interesat e papaguara që nga momenti kur City ndaloi pagesën e 30-vjeçarit. Mendy kaloi dy periudha në paraburgim, duke mbuluar rreth pesë muaj të periudhës 22-mujore të kërkesës së tij dhe gjatë së cilës City kishte të drejtë të mos paguante pagën e tij.

Kur Mendy nuk ishte në paraburgim, futbollisti mund të kishte zbritur në fushën e lojës, por u pengua nga pezullimi i Federatës angleze dhe prishja e pavullnetshme e marrëveshjes me Manchester Cityn.

Klan News