Nuk reflektohet ulja në 3 javët
Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare vazhdon të mbetet në nivelet më të ulëta historike duke u shitur me 26 Dollarë për fuçi.
Sipas të dhënave të tregjeve financiare ndërkombëtare, një fuçi sot u tregtua me 25.9 Dollarë, rreth 0.5% më shumë se një ditë më parë, por prej dy muajsh çmimi i kësaj lënde nuk ka patur tendencë rritëse më të lartë se 30 Dollarë për fuçi, duke reflektuar uljen e ndjeshme të kërkesës për këtë lëndë për shkak të masave bllokuese të marra nga pandemia Covid-19.
Çmimi mesatar i 1 litri naftë në rang global që tregtohet në tregun e pakicës ka arritur në 0.91 Dollarë, ndërsa në shumë vende të botës, çmimi i kësaj lënde në pikat e karburanteve është përgjysmuar.
Në Venezuelë një litër kushton 0 Dollarë, çka do të thotë që në kushtet e uljes së çmimit në bursa, qytetarët e marrin falas, ndërsa në shumë shtete të rajonit 1 litër karburant kushton nga 90 cent në 1.1 Dollarë.
Në Shqipëri çmimi i naftës vijon të mbetet i pandryshuar, prej më shumë se 3 javësh duke u shitur mesatarisht me 158 lekë/litër, edhe pse në fund të Prillit çmimet e kësaj lëndë për kuotat e Majit dhe Qershorit shkuan në vlera negative, deri në minus 37 Dollarë për fuçi.
Kjo qasje e tregjeve për çmime të ulëta të naftës parashikon për ekspertët se lënda do të vazhdojë të mbetet në vlera të ulëta deri në fund të Qershorit, kur pritet edhe një liberalizim i masave ndaj pandemisë.
Shoqata e Hidrokarbureve është shprehur se çmimi i 1 litri naftë në Shqipëri mund të përballojë një ulje deri në nivelin e 130 Lekëve për litër, por kjo nuk ka ndodhur ende, ndërsa vendi ynë renditet në vend të tretë për çmimin më të lartë të kësaj lënde në tregun e pakicës.
Tv Klan