Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar kompanitë importuese të derivateve të naftës, për ngritjen e çmimit në treg.
“Dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm. Kjo po ndodhë nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë”,
ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.
Ai ka rikujtuar se çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, derisa në tregun kosovar, operatorët nuk kanë reflektuar.
“U bëj thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës e Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe që dëmton qytetarët tanë”, është shprehur ai.
Çmimi i naftës, ka shtuar Haradinaj, duhet të jetë konform çmimit të tregut.
“Është e kuptueshme që tregu i lirë funksionon i pavarur, por kjo nuk nënkupton, në asnjë formë, dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare”,
ka deklaruar kryeministri Haradinaj./REL