Izraeli mund të pranojë një marrëveshje armëpushimi me Hezbollahun, që do t’i japë fund sulmeve të përgjakshme të ushtrisë izraelite në Liban të nisura në fillim të Tetorit.
Media amerikane CNN citon burime pranë qeverisë izraelite të jenë shprehur se Netanjahu ka pranuar në parim gjatë një mbledhjeje me këshilltarë të sigurisë të dielën, nisjen e një armëpushimi sipas propozimit të Shteteve të Bashkuara, që iu prezantua palëve javën e kaluar nga i dërguari i Uashingtonit, Amos Hochstein.
Megjithatë në një deklaratë për mediat, ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar renditi dy kushte kryesore për arritjen e kësaj marrëveshjeje.
“Të ndalohet lëvizja e Hezbollahut drejt jugut përtej lumit Litani dhe të ndalohet riarmatosja dhe ringritja e strukturës së kësaj organizate në Liban”.
Sulmet e ashpra izraelite nuk janë ndalur në Bejrut dhe gjithë vendin, ndonëse grupi militant pro-iranian është dobësuar ndjeshëm pas shkatërrimit të pjesës më të madhe të bazave dhe vrasjes së krerëve nga ushtria izraelite.
Ndërsa Ajatollahu Ali Kamenei duke komentuar urdhër-arrestin ndërkombëtar të së enjtes për Kryeministrin izraelit tha se Netanjahu duhej të dënohej me vdekje.
Tv Klan