Pas Donald Trump, Presidenti në detyrë i SHBA, Joe Biden ka konfirmuar se është arritur një marrëveshje armëpushimi mes Gazës dhe Hamasit.
Marrëveshja përfshin një armëpushim të plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Në deklaratën e tij, Biden është shprehur se gjatë fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit, palestinezët mund të kthehen në shtëpitë e tyre teksa ka shtuar se ndihma humanitare në Rripin e Gazës do të rritet.
“Së shpejti pengjet do të kthehen në shtëpi te familjet e tyre. Izraeli do të lirojë të burgosurit palestinezë në këmbim, u shpreh ai.
Ai ka shtuar se Izraeli dhe Hamasi do të negociojnë marrëveshjet e nevojshme në fazën e dytë për atë që do të ishte fundi i përhershëm i luftës. Më tej, Biden është shprehur se rruga drejt kësaj marrëveshjeje nuk ka qenë e lehtë dhe ai e quan atë një nga negociatat më të vështira që ka përjetuar.
Presidenti në detyrë i SHBA, Biden thotë se ndihet i kënaqur që kjo ditë ka ardhur teksa shprehet se me këtë marrëveshje, palestinezët mund të rindërtojnë pa Hamasin.
Biden deklaroi se ai dhe ekipi i Presidentit të zgjedhur Donald Trump folën si një skuadër në përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshjen e armëpushimit.
3 FAZAT E MARRËVESHJES SIPAS BIDEN:
–Faza e parë “armëpushim i plotë”: Kjo fazë do të zgjasë gjashtë javë dhe përfshin një armëpushim të plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
–Faza e dytë “fundi i luftës”: Përfshin negocimin e përfundimit të luftës. Nëse negociatat zgjasin më shumë se gjashtë javë, armëpushimi do të vazhdojë.
–Faza e tretë “rindërtimi i Gazës”: Do të fillojë një plan rindërtimi për Gazën, ndihma humanitare do të rritet dhe palestinezët e zhvendosur do të mund të kthehen në lagjet në të gjitha zonat e Gazës.
/tvklan.al