“Unë nuk i ndjek rekordet, ato më ndjekin mua.” Kjo ishte fraza e Cristiano Ronaldos, pak ditë më parë, kur arriti shifrën e 900 golave në karrierë dhe duket se është e vërtetë.
Së fundmi, ylli portugez, u bë personi i parë, që arrin shifrën e 1 miliard ndjekësve në të gjitha rrjetet e tij sociale.
Kjo u bë e ditur nga vetë Ronaldo, nëpërmjet një postimi falënderues për ndjekësit e tij.
“Bëmë histori. 1 miliard ndjekës! Ky është më shumë se një numër, është një dëshmi e pasionit, dëshirës dhe dashurisë sonë të përbashkët për lojën dhe më gjerë.
Faleminderit që besuat në mua, për mbështetjen tuaj dhe që jeni pjesë e jetës sime. Më e mira nuk ka ardhur ende, dhe ne do të vazhdojmë të përpiqemi, të fitojmë dhe të bëjmë histori së bashku”, ka shkruar Ronaldo.
Sulmuesi 39 vjeçar, numëron 60.4 milionë abonentë në Youtube, 170.5 milionë në Facebook dhe 113 milionë në platformën X.
Megjithatë numrin më të lartë të ndjekësve, ai e ka në Instagram, aty ku numëron plot 639 milionë. Gjithashtu ai ka më pak se 20 milionë ndjekës, në dy platformat kineze, Weibo dhe Kuaishou.
Numra të frikshëm nga Ronaldo, që për momentin nuk njeh rivalë në këtë drejtim. /tvklan.al