Forumi Ekonomik Botëror në Davos u shoqërua nga protesta të rinjsh. Ata duan të thonë fjalën e tyre në forum.

Protesta është e vogël, por e zhurmshme. Disa qindra të rinj të mbledhur në sheshin qendror në Davos të Zvicrës ku zhvillohet Forumi Ekonomik Botëror e konsiderojnë këtë takim harxhim parash dhe kohe. “Ne protestojmë kundër takimit të lobit të të pasurvedhe të fuqishmëve në Davos. Është e qartë që ata janë përgjegjës për krizat e kohës sonë,” thotë Mirjam Hostetmann nga Socialistët e Rinj Zviceranë, të cilët bashkëorganizojnë demonstratën nën moton. “Strike WEF.”

“Eat the rich” (Hani të pasurit) apo “Tax the rich” (Taksoni të pasurit) thërrasin demonstruesit, disa prej të cilëve bllokojnë edhe rrugën ku kalojnë limuzinat me pjesëmarrësit në Forumin Ekonomik Botëror.

Fjalë të qarta

Inés Yábar mendon paksa ndryshe për Forumin Ekonomik Botëror. E reja peruane është e ftuar këtë vit në forum. Në Lima ajo punon me të tjerët për të mbrojtur mjedisin në Peru, merret me probleme sociale dhe është aktive si Global Shaper. Ky rrjet global të rinjsh të angazhuar mes moshës 20 dhe 30 vjeç këshillohet prej Forumit Ekonomik Botëror, por është i organizuar në mënyrë të pavarur.

Peruania dëshiron të diskutojë në Davos me të fuqishmit. Ajo synon të ndërtojë ura, por edhe të thotë qartë mendimin e saj. Ajo e kupton pse para dyerve zhvillohen demonstrata. “Mendoj se kjo tregon se të rinjve u interesojnë këto tema. Dhe ne do të protestojmë sepse duhet të ngremë zërin për gjërat që kemi pasion. Ne jemi të përfaqësuar edhe në hapësira ku mund të flasim dhe këmbejmë mendime me njerëzit, që marrim vendime që ndikojnë në të ardhmen tonë.”

Kështu nuk mund të vazhdohet

50 Global Shapers nga e gjithë bota marrin pjesë në diskutimet në Davos. Bëhet fjalë për drejtësinë sociale, ndryshimet klimatike, inteligjencën artificiale dhe shumë tema të tjera. Prania në forum është një mundësi. Shumë të rinj janë të pakënaqur. Kështu nuk mund të vazhdohet më tej, thotë Olajumoke Adekeye.

Nigeriania është e indinjuar, sepse vetëm 2.8 për qind e parlamentarëve në mbarë botën janë nën 30 vjeç. Në Afrikën Sub-Sahariane, një pjesë e madhe e popullsisë është nën 25 vjeç, thotë ajo, por kur bëhet fjalë për vendimet që ndikojnë në të ardhmen e tyre, ata nuk dëgjohen. Ajo është këtu për ta ndryshuar këtë .

Përgjegjësi sociale

Akshay Saxena nga India beson te rinia dhe kërkon ndryshim: “Shumë vendime që prekin shumicën, merren vetëm nga grupe shumë të vogla”. Me organizatën e tij Avanti Fellows sipërmarrësi indian mbështet talentet e reja. Fokusi është te fëmijët nga familjet e varfra që kanë pak akses në sistemin arsimor. “Ka kaq shumë fëmijë të zgjuar, njerëz të jashtëzakonshëm, dhuntitë e të cilëve shpesh shkojnë dëm”.

Në Forumin Ekonomik Botëror ai do të nderohet si Sipërmarrësi Social i Vitit. “Nëse kapitalizmi duhet të funksionojë, atëherë ata që kanë shumë duhet të japin nga pasuria e tyre. Kjo është përgjegjësia sociale,” thotë ai. Rreth 70,000 të rinj indianë marrin pjesë në kurset online të Avanti Fellows për lëndët e matematikës, të teknologjisë dhe të shkencës. Të tjerët marrin përmes programeve të organizatës mbështetje për të ndjekur shkolla./DW