Mes debatesh ka nisur punimet seanca plenare e ditës së sotme. Teksa kryeparlamentarja Nikolla ka lexuar njoftimet e grupit parlamentar të PD-së, deputetët demokratë e kanë kundërshtuar duke i thënë se nuk ka lexuar të plotë njoftimet ku theksohet futja e Sali Berishës në grupin e PD-së.
Gjithashtu, grupi parlamentar i PD-së ka kërkuar të zhvillojë mocion me debat në parlament, gjë që nuk është pranuar nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila ka thënë se nuk është në përputhje me parashikimet e rregullores së Kuvendit.
Lindita Nikolla: Kemi njoftim nga PD që në mbledhjen e grupit parlamentar është vendosur njoftimi i seancën plenare, ku janë bërë ndryshime. Kërkesë nga kreu i grupit parlamentar të PD-së për zhvillimin e një mocioni me debat. Kam argumentuar mospranimin, nuk është në përputhje me parashikimet e rregullores së Kuvendit. Çështja i shtohet Kuvendit, vendos me votim të hapur dhe pa debat.
Gazment Bardhi: Kur lexon njoftimet e grupit të PD-së, lexoji nga fillimi deri në fund. Në përputhje me nenin, ajo shkresë e dorëzuar nga ana jonë, ka edhe një pikë tjetër ku thuhet se ju keni për detyrë ta reflektoni atë kërkesë që ka bërë grupi i PD-së dhe nuk mund të lexoni njoftimet tona sipas dëshirës tuaj. Lexohen ashtu si janë dërguar.
Lindita Nikolla: E dini që në atë njoftim ka një rast që është përjashtuar nga grupi i PD-së me vendim të PD-së.
Edmond Spaho: Ju nuk keni atribute që të ndërhyni në vendimet e grupit të PD-së. Shkresa që ju ka ardhur nga grupi i PD-së, ju detyron të njoftoni se Berisha është kryetar i grupit të PD-së. Nuk e kuptoj se çfarë keni ju me njoftimet e grupit të PD-së. Ku e gjeni të drejtën të merrni vendime në emrin tonë? Lexo rregulloren.
Oerd Bylykbashi: Problemi juaj është kur ju e shkelni kushtetutën. Askush nuk detyron deputetët përveç votës së popullit. Si në kushtetutë, edhe në rregullore nuk parashikohet asnjë procedurë për largim të një deputeti nga grupi i PD-së. Sot është vendimi juaj për të lënë jashtë kreun e PD-së, veprim i qëllimshëm dhe antikushtetues për të bllokuar opozitën në kryerjen e detyrës së saj. Nuk ka asnjë dispozitë për përjashtimin e deputetëve. Nuk keni tagër që ta bëni këtë. Berisha duhet të jetë pjesë e këtij grupi, vendimi juaj është në shkelje të kushtetutës. Përgjegjësia është e juaja. Zbatoni vendimet që marrim ne.
/tvklan.al