Rigelsa, ish-bashkëshortja e Irakliut me të cilin është ndarë prej 4 vitesh, konfirmon gjatë telefonatës me rubrikën e “Shihemi në Gjyq” se ai ka qenë i pranishëm dhe ka firmosur si dorëzanës për bashkëjetuesin e saj, Valdrinin. Kështu ajo rrëzon pretendimet e ngritura  deri më tani nga Irakliu se nuk mban mend asgjë lidhur me këtë kredi që sot kërcënon t’i marrë shtëpinë e të atit, Vasilit që e ka sjellë në rubrikën e së “Dielës  Shqiptare” në Tv Klan.

Vazhdimin e bisedës me Rigelsën e merr në dorë drejtuesi i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea. Rigelsa i konfirmon se ajo dhe Valdrini janë ende bashkë. Paratë nuk i ka marrë as ajo e as Irakliu, por Valdrini. Gjebrea i shpreh se fakti që ajo i është drejtuar Irakliut për të firmosur për bashkëjetuesin e saj nuk është aspak logjik dhe po sjell pasoja në familjen e Irakliut.

Irakliu ka ulur kokën dhe përlotet, një skenë që Gjebrea ia përshkruan Rigersës duke i thënë se deri në këtë moment, ai dhe ish-vjehrri i saj s’kanë thënë asgjë të keqe për të. Njëkohësisht, fakti që shtëpia e Vasilit rrezikohet nga kjo kredi sjell edhe mundësinë që tri vajzat e Rigelsës dhe Irakliun të mbeten në rrugë. Rigelsa reagon duke thënë se kjo s’do të ndodhë dhe ajo do të bëjë gjithçka për të kontaktuar me  bashkëjetuesin e zhdukur prej disa muajsh.

Ardit Gjebrea: Irakliu vetëm ul kokën dhe s’flet dhe tashmë ne e kemi kuptuar karakterin e tij. Ky është një njeri që mund ta quaj një dele e Perëndisë, është ai që është dhe që thotë nuk mbaj mend për të të ruajtur edhe ty, nuk ka thënë asnjë fjalë të keqe në favorin tënd, as ai dhe Vasili, përkundrazi dhe kanë treguar historinë sesi është. Ti duke e ditur që është dele e Perëndisë, e more për dore, e çove të firmosë  dhe këtë barrë ia ke lënë Irakliut.

Rigelsa: Jo, nuk e kam marrë për dore.

Ardit Gjebrea: S’e ke marrë për dore, por në njëfarë mënyre, si mund të shkosh te ish-bashkëshorti dhe ta bësh dorëzanë për njeriun me të cilin ti bashkëjeton?

Rigelsa: Ja që ndodhi ky gabim, pa e menduar unë ndodhi dhe pa e menduar Irakliu, ndodhi.

Ardit Gjebrea: Në atë shtëpi që rrezikohet që të merret jetojnë edhe fëmijët e tu, e ke menduar këtë?

Rigelsa: Po.

Ardit Gjebrea: Po ku do të shkojnë fëmijët e tu?

Rigelsa: Dhe atëherë përse shihet si pikë të merret shtëpia e Irakliut dhe e Vasilit dhe të mos merret shtëpia e Valdrinit?

Ardit Gjebrea: Sepse në dokumente nuk është dorëzanë Valdrini, po të ishte Irakliun s’e kishe futur fare  ti. Në dokumente, nëse Valdrini nuk paguan, dorëzanë është Irakliu dhe sipas ligjeve të shtetit merret shtëpia e Irakliut që do të thotë e dashur, nëse ti nuk e di këtë gjë, atëherë më fal por ta ka hedhur Valdrini i cili të ka përfshirë edhe ty, nuk ka firmosur ai për përgjegjësinë e dorëzanisë, ia ka lënë Irakliut,  ndoshta ti ke besuar te Valdrini, unë po e marr të mirëqenë këtë që thua ti dhe Valdrini ta ka hedhur ty dhe ia ka hedhur edhe Irakliut të shkretë dhe të ka mbushur mendjen ty hajde marrim Irakliun dhe e ka ngrënë Irakliu. Kjo është situata e dashur, më kupton? Ti sapo na the tani që ai është zhdukur dhe nuk e di se ku është 4 muaj, pra ta ka hedhur ty dhe mbi të gjitha,viktima më e madhe është Irakliu dhe në fund, fëmijët e tu që gjëja e fundit që unë besoj në këtë botë është që ty mos të të dhembin fëmijët e tu apo jo? Ty të dhembin fëmijët e tu apo jo?

Rigelsa: Normale që më dhembin.

Ardit Gjebrea: Bravo Rigelsa dhe ky problem shkon deri te fëmijët e tu.

Rigelsa: Ky problem nuk do të shkojë fare as te fëmijët e mim as te Irakliu sepse unë do të kthej çdo gur dhe Valdrinin do ta gjej! Atë kredi do ta paguajë vetëm Valdrini, as unë dhe as Irakliu!/tvklan.al