Shtohen zërat nga radha e demokratëve në SHBA kundër Joe Biden duke i kërkuar atij që të largohet dhe të mos rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme.
Mediat amerikane shkruajnë se katër kongresmenët i kanë kërkuar privatisht Biden të largohet pasi janë të shqetësuar në lidhje me aftësinë e Biden për postin e presidentit.
Mes demokratëve që kanë kërkuar largimin e Biden nga gara e ardhshme presidenciale janë përfaqësuesit Jerry Nadler, Adam Smith, Mark Takano dhe Joe Morelle. Shqetësimet në lidhje me moshën e Biden u shtuan pas debatit televiziv “kokë më kokë” me Donald Trump muajin e kaluar, në të cilin presidenti u shfaq i përhumbur.
Shpjegime të ndryshme u dhanë nga ekipi i Biden për perfomancën e tij të dobët si fakti që presidenti ishte ftohur dhe ishte i rraskapitur nga udhëtimet.
Duke folur për ABC News të premten, presidenti nuk pranoi t’i nënshtrohej kontrolleve mjekësore dhe t’i bënte rezultatet publike në mënyrë që të siguronte votuesit se ishte i aftë për të shërbyer një mandat tjetër. Biden më herët ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga gara, por duket se ku qëndrimi i tij ka shqetësuar shumë demokratët.
Klan News