Maignan e Kounde mbyllen para kohe sfidën me Austrinë, mungojnë ndaj Danimarkës


Vijon epidemia e dëmtimeve në kombëtaren e Francës. Porta është ajo që po vuan në këtë pikë të sezonit, pasi në fitoren 2-0 ndaj Austrisë, la fushën duke çaluar gardiani i Milanit, Mike Maignan. 27-vjeçari luajti vetëm në pjesën e parë në duelin e zhvilluar në “Stade de France”, për t’i lënë vendin Areola.

 Maignan tregoi shenja dëmtimi në pulpën e majtë për të mbyllur para kohe sfidën e Ligës së Kombeve. Një tjetër futbollist i dëmtuar ishte dhe mbrojtësi i Barcelonës, Jules Kounde. Ish-lojtari i Sevijas u desh të dilte nga fusha në minutën e 23-të të takimit për shkak të një tendosje muskulare.

Dy dëmtime me tepër peshë, me mediat franceze që konfirmojnë se asnjëri prej tyre nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e radhës të Francës kundër Danimarkës. Danezët presin “gjelat” në ndeshjen e fundit të Ligës ë Kombeve të UEFA-s, sfidë që do të luhet të dielën. Edhe pse skuadra e Didier Deschamps dolën fitimtarë nga përballja me austriakët, nuk është e garantuar qëndrimi në Ligën A. Franca ka në dorën e saj vijueshmërinë në këtë Divizion, pasi i duhet të fitojë ndaj Danimarkës, ose të shpresojnë te një ndalesë e Austrisë përballë Kroacisë.

Klan News