Pas dënimit me 1 vit burg për rastin “Babalja”, Presidenti i Republikës Ilir Meta priti këtë të enjte në një takim ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Ervin Salianji.
Në një postim në rrjetet sociale, zëdhënësi i kreut të Shtetit, Tedi Blushi thotë se Meta e zhvilloi takimin për t’u njohur nga afër me shqetësimet e tij në lidhje me cënimin e procesit të rregullt ligjor në çështjen gjyqësore penale që po zhvillohet në ngarkim të tij.
Presidenti Meta theksoi se mbron parimin kushtetues se kushdo që akuzohet penalisht, prezumohet i pafajshëm derisa në ngarkim të tij nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.
“Kreu i Shtetit e inkurajoi Salianji, që të mos humbasë besimin tek drejtësia dhe të vijojë të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet proceduriale ligjore në mbrojtje të të drejtave të tij”, thotë Blushi.
“Presidenti Meta theksoi rëndësinë që procesi gjyqësor që ka nisur të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe objektive. Kreu i Shtetit e garantoi Salianji se do ta ndjekë me vëmendje të posaçme këtë çështje me sensibilitet të lartë publik, duke inkurajuar një gjykim shterues dhe transparent”, thotë më tej zëdhënësi i Presidentit./tvklan.al