Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të dënuar me burg përjetë Laert Haxhiun. Ai u shpall fajtor për ngjarjen që quhet masakra e Lushnjes, në shtator të vitit 2017 ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Sipas vendimit të togave të zeza, Laert Haxhiu duhet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, por kjo do të bëhet e mundur nëse ekstradohet nga Greqia, aty ku ndodhet i arrestuar.
I pranishëm në seancë ishte edhe babait i të pandehurit, Qamil Haxhiu.
Në ngjarjen e vitit 2017 ku krahas dy viktimave mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, shënjestër ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti i cili i shpëtoi breshërisë së plumbave.
Pas seancës gjyqësore avokati i Haxhiut, Detar Hysi e quajti vendimin jo të drejtë dhe të njëanshëm. Sipas avokatit mbrojtës gjykata ka skanuar kërkesën e SPAK, dhe me këtë vendim të ndikuar nga faktorë të jashtëm, ka hapur një sagë vrasjesh në qytetin e Lushnjes.
Për të njëjtën ngjarje që u dënua Haxhiu, janë dënuar më herët me burg përjetë edhe Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili. Ata janë konsideruar si bashkëpunëtorët e ngushtë të Laert Haxhiut. Ky i fundit mbahet i arrestuar në Greqi prej rreth një viti, për të cilin autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij, për shkak se dyshohet se është përfshirë në disa ngjarje kriminale. Laert Haxhiu është dënuar në mungesë me 19 vite burg nga Gjykata e Lushnjes për një tjetër atentat ku u plagosen disa persona dhe sërish objektivi i sulmit ishte Xhulio Shkurti. Po kështu, emri i Laert Haxhiut doli nga dëshmia e Artan Tafanit, që tregoi se grupi i tij ka organizuar disa vrasje dhe disa ngjarje të rënda kriminale që kanë ndodhur në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë.
Klan News