Deputetët demokratë vijuan mosbindjen civile edhe në seancën e kësaj të enjte.
Demokratët mbërritën para ambienteve të Kuvendit 10 minuta pasi kishte filluar seanca plenare dhe menjëherë nisën përplasjen me Gardën.
Ndryshe nga herët e tjera kjo përplasje zgjati vetëm pak minuta ndërsa brenda ambienteve të Kuvenit u lejuan të futen vetëm deputetët që nuk kanë masë ndëshkuese nga Sekretariati i Etikës.
Pasi ndaluan përlasjen me Gardën, deputetët zgjodhën një tjetër mënyrë për të protestuar, ata u ulën të gjithë para derës kryesore të Kuvendit.
Deputetët që u futën brenda në sallë, nxorën jashtë karriget, por këtë herë jo për t’i djegur.
Teksa i kthyen përmbys karriget në shenjë proteste, deputeti Dashnor Sula konstatoi se pavarësisht se deputetët demokratë do të paguajnë rreth 800 mijë Lekë të rejapër të zëvendësuar karriget e djeguara, ato nuk janë zëvendësuar, por vetëm janë riparuar të vjetrat.
Akuza në adresë të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama pati dhe sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe Kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi.
Pasi protestuan për më shumë se një orë para Parlamentit, deputetët demokratë iu bashkuan protestës para bashkisë së Tiranës.
Ata u rikthyen në Parlament disa minuta më vonë.
Pavarësisht aksionit të tyre, deputetët demokratë dështuan që këtë të enjte të ndërprisin punimet e Kuvendit.
Klan News