Murrizi: Qëndrim radikal po u votua reforma zgjedhore

Opozita parlamentare paralajmëron reagim radikal, nëse mazhoranca sjell për votim në Kuvend ndryshimet në Kodin Elektoral të arritura në marrëveshjen e 5 Qershorit.

Por sa e bashkuar është opozita parlamentare në këtë qëndrim të saj për të mos votuar ndryshimet e marrëveshjes për reformën zgjedhore?

“Shpesh kanë thënë që grupet e krijuara në parlament janë deputetë rebelë, unë nuk marr përsipër të jem as kapo as tutori i tyre”, shprehet Myslim Murrizi.

Ndonëse kreu i grupit demokrat nuk e tha se cili do të jetë ky qëndrim radikal, në një takim me përfaqësues të opozitës në Kuvend, kryetari i Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve Selami Jenisheri zbuloi edhe skenarin që mund të ndërmerret në seancë.

“Do t’ua djegim kartat në dorë”.

“Mund të ketë edhe një qëndrim radikal sesa mosprania në seancë”, shtoi Murrizi.

Takimi i deputetëve të grupeve opozitare vjen përpara takimit që do të zhvillojnë me kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin Rama, të cilëve iu drejtuan me një letër ku votën për reformën e kushtëzojnë me listat e hapura, depolitizimin e administrates elektorale si dhe votën e emigrantëve.

Tv Klan