Zelando Mamaqi siguronte armë dhe municion luftarak

10 ditë pasi u shpall në kërkim nga Policia e Durrësit, Zelando Mamaqi, 32 vjeç që shihni në këtë foto, ra në pranga si bashkëpunëtor në grupin kriminal për të cilin dy vëllezërit Gentian e Indrit Beqiraj rrëfyen autorësinë e disa krimeve.

Ai dyshohet se mbante dhe siguronte armë zjarri në funksion të ngjarjeve me pagesë që kryheshin nga grupi, duke qenë pjesë aktive dhe ndaj tij rëndon edhe akuza e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.

Mamaqi është personazh i njohur për policinë, i arrestuar disa herë për krime kundër personit dhe i skeduar për aktivitete të paligjshme.

Në 5 tetor, Policia e Durrësit njoftoi se nëpërmjet dëshmisë së Gentian dhe Indrit Beqirajt kishte zbardhur vrasjen në zonën e “Don Boskos” në Tiranë me 1 të vrarë e 3 të plagosur dhe Arben Manecit në Durrës, si dhe një tentativë vrasje të porositur nga një polic burgjesh.

Sipas dëshmive në vrasjen e “Don Boskos” në fillim të muajit janar ishte ngatërruar objektivi, pasi sipas dy vëllezërve ngjarja ishte porositur nga Kasandër Noga, për të vrarë Geron Hasanbelliun dhe dy nipat e tij.

Ndërkohë hetimet vazhdojnë për të zbardhur emrat e porositësve të vrasjes së Manecit. Në kërkim për këtë ngjarje vijojnë të jenë edhe 5 persona të tjerë.

Tv Klan