Seanca e sotme në Komisionin Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit “TIMS”, ku është dakordësuar më herët të dëshmojnë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, është kërkuar të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Ministri i Brendshëm i është drejtuar me një shkresë këtij komisioni, ku argumenton se informacionet që ai disponon për këtë çështje bazohen në dokumentacion dhe të dhëna të klasifikuara si “sekret shtetëror” dhe se anëtarët e komisionit duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli (CSP).

Balla vlerëson gjithashtu që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura në përputhje me detyrimet ligjore për mbrojtjen e këtij informacioni. Në kërkesën e tij ai sjell në vëmendje gjithashtu, se çështja “TIMS” është objekt hetimi penal e për pasojë të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave hetimore që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër.

“Bazuar në Ligjin nr.106/2023, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, anëtarët e mazhorancës do të kërkojnë hedhjen në votim të këtij propozimi dhe pas vendimarrjes do të vijohet me seancën e dëshmisë së Ministrit të Brendshëm, kreut të Policisë së Shteti dhe ish-drejtorit të Departamentit të IT në Policinë e Shtetit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nga ana tjetër, kryetari i këtij komisioni hetimor, Ervin Slianji thotë se nuk janë në kushtet kur komisioni do të shqyrtojë ndonjë sekret shtetëror teksa ka ftuar ministri Balla si dëshmitarin e parë.

“Ne do i qëndrojmë strikt objektit të këtij komisioni hetimor. Ka edhe një kërkesë tjetër të ardhur 15 minutash, ministri i Brendshëm kërkesë për seancë me dyer të mbyllura. Nuk e di pse ministri e di paraprakisht se çfarë do të thotë. Unë mendoj që zhvillimi i mbledhjeve, bëhen dhe thirren nga kryetari. Anëtarët e komisionit shprehin mendimin e tyre dhe votojnë sipas bindjes së tyre. Ne nuk jemi në kushtet kur komisioni do të shqyrtojë ndonjë dokument të klasifikuar sekret shtetëror. Dokumentet janë administruar në këtë komision dhe nuk ka asgjë që përbën sekret. Unë ftoj ministrin si dëshmitarin e parë”, u shpreh Salianji.

Ndërkohë, deputeti socialist Toni Gogu i ka bërë thirrje Salianjit që të hedhë në votim kërkesën e institucioneve shtetërore, ndërsa demokrati i ka thënë se duhet që të paraqitet fillimisht ministri Balla që të parashtrojë se cilat çështje i ka të klasifikuara si sekret shtetëror.

Hidheni në shqyrtim kërkesën siç të detyron ligji sepse nuk e mbart ti pushtetin e këtij komisioni. Ti je një i parë mes të barabartëve. Tani është momenti që të ka ardhur një kërkesë. Je i detyruar që secilin anëtar ta informosh dhe jo ta dizinformosh“, u shpreh Gogu.


Pjesë nga diskutimi i Komisionit Hetimor për “TIMS”:

Toni Gogu: Ministri ka sjellë një kërkesë zyrtare dhe të thotë se kam informacion të klasifikuar dhe për këtë arsye kërkon në zbatim të ligjit që ti as nuk i merr në konsideratë. Urgjentisht hidh në votim kërkesën e institucioneve shtetërore. Jam dakord që të japësh mendim. Thërriti ministrin sepse e kujton këtë komision që është ky dhe flet ky dhe vetëm ky se ky mbart sovranitetin e popullit.

Ervin Salianji: Po the “ky” të vjen një fjalë e keqe.

Toni Gogu: Ata fjalë i përkasin fjalorit tuaj. Ato fjalë që keni në mendje. Suksesi i këtij komisioni nuk është sa herë del zotëria në televizor. Nuk ka lidhje me këtë gjë. Jam i indinjuar sepse po shkelet ligji në sytë tonë dhe ju doni ta anashkaloni. Si do të lexojë serverin ky, kur ky nuk lexon ligjin? Urgjentisht të mbyllë dyert dhe të nisë nga hetimi. Ky dëshmon qartë sepse ky nuk do hetim. Shkelet ligji në sytë e të gjithë shqiptarëve. Hidheni në votim kërkesën.

Ervin Salianji: Nuk emocionohem dot nga këto, por përpjetë hidhuni, këtu ku jeni zhytur nuk i shpëtoni dot. Po ju them qartësisht unë jap dorëheqjen edhe nga mandati nëse kam gënjyer për njoftimin publik që ka bërë PS para se të ndodhë mbledhja e këtij komisioni. Sa më shumë ta ngrini zërin, aq më pak e ulni dinjitetin. Nuk do i shmangeni dot hetimit parlamentar. Bëra vetëm leximin e ligjit. Po ju them që mbledhjet e komisionit si rregull janë të hapura.

Rendi i ditës i dakordësuar nga palët, ka thërritur si dëshmitar ministrin e Brendshëm, Balla, të vijë dhe ta bërë parashtrimin e kërkesës dhe ta diskutojë para anëtarëve të këtij komisioni. Të pyesim ekspertët. Sipas rendit të ditës, ju lutem njoftoni dëshmitarin e parë të këtij komisioni të parashtrojë, të ftoni ministrin e Brendshëm ta shprehë vetë dhe të diskutojmë se cilat informacione janë të klasifikuara.

Shpallim në kërkim ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, ose dilni ju përfaqësues të mbrojtjes së paligjshmërisë. Ministri në orën 5 duhet të paraqitej në komision. Po qe se ju mendoni se ministri duhet të paraqitet korridoreve të kuvendit, këtu nuk ka as deputetë dhe as ministra. Të vijë ministri i Brendshëm siç e ka parashikuar ligji. Nëse vjen pasi e thërrisni ju, nuk vjen në mbledhje të komisionit, por të partisë.


/tvklan.al