Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i ka kërkuar Komisionit Rregullator të bëjë një ndryshim në mënyrën e regjistrimit të votuesve nga jashtë në zgjedhjet e 11 Majit. Ky propozim synon që të mundësojë regjistrimin për emigrantët që nuk kanë një adresë banimi në emrin e tyre pasi jetojnë tek të afërm apo miq.

Në një dalje për mediat Celibashi sqaroi se pret edhe nga Kuvendi që të miratojë propozimet që kanë të bëjnë me afatet e regjistrimit të kandidatëve, numërimin e votave, shpenzimet për postën, por edhe buxhetin për zgjedhjet.

“Për ne e rëndësishme është që çfarë do të bëhet me atë dispozitë të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me kostot e pagimit të shërbimit postar”, tha Celibashi.

Celibashi tha se propozimi i opozitës që emigrantët të votojnë me një dokument të huaj është i pamundur me sistemin aktual.

“PER është ndërtuar për të identifikuar nëpërmjet dokumenteve të identifikimit të lëshuara nga Republika e Shipërisë”, thekson kryekomisioneri Celibashi.

Ndryshimet në kodin zgjedhor, Celibashi theksoi se ato duhen bërë para fundit të Marsit, pasi në të kundërt nuk do të kishin asnjë dobi.

Forcat politike i paralajmëroi se do të përballen me ligjin nëse gjatë kohës së regjistrimit të diasporës marrin të dhëna personale të qytetarëve për përfitime elektorale. Deri tani janë 86 570 emigrantë që u është pranuar kërkesa nga rreth 116 mijë kërkesa të bëra. Procesi i aplikimit përfundon në 4 Mars.

Tv Klan