Pas 9 orëve debat, pak pas mesnatës dhe pa praninë e deputetëve të opozitës, Kuvendi kaloi për votim disa projektligje dhe çështjen e dërgimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë orë të vonë Kryetares së Kuvendit iu desh të priste mbi 10 minuta përpara se të hapte prezencën, për t’i dhënë kohë deputetëve socialistë për t’u kthyer në seancë, ndërsa karriget e opozitës vijuan të ishin bosh, me përjashtim të deputetit demokrat Bujar Leskaj.

Me 73 vota pro të shumicës socialiste, Kuvendi miratoi ndryshimet në projektligjin për investimet e strategjike. Me ligjin zgjatet me 2 vite afati i përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze më 4 dhe 5 yje si dhe shtyhet deri më 31 dhjetor 2026 afati për aplikimin për investime strategjike.

Ndërsa projektligji për një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, u miratua me 68 vota pro, pasi tre socialistët Erjon Braçe, Pandeli Majko e Petro Koçi abstenuan. Ky ligj përjashton nga tatimi mbi të ardhurat e korporatave për një periudhë 10 -vjeçare, strukturat që përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026.

Kuvendi miratoi gjithashtu edhe ndryshimet e parashikuara në aktin normativ të qeverisë, që i hap rrugë bonusit të pranverës për pensionistët. Bonusi do të shpërndahet për pensionistët në muajin shkurt.

Gjithashtu kuvendi miratoi me 74 vota kërkesën e qeverisë për të marrë hua 77.5 milionë euro, nga BERZH për mbylljen e punimeve për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe për ndërtimin e linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Pro kësaj kërkese veç socialistëve votoi edhe deputeti i PD-së, Bujar Leskaj.

Ndërsa u rrëzua kërkesa e PD-së për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj. Për mosdërgimin e kësaj çështje në Kushtetuese votoi si partia socialiste edhe deputeti demokrat Bujar Leksaj, ndërsa 12 deputetë të PS-së abstenuan.

Shumica socialiste rrëzoi edhe kërkesën e PD-së për ngritjen e komisionit hetimor për projektin “Marina & Jahtet e Durrësit”dhe ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.

Klan News