Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka dështuar të mbajë sekret një takim me disa zyrtarë hungarezë. Mediat vendase e kanë zbuluar takimin dhe kanë saktësuar se ai kishte qëllime biznesi.
Takimi i së premtes mes ish-Kryeministrit në arrati Nikola Gruevskit dhe zv/Sekretarit në Ministrinë e Jashtme të Hungarisë duhej që të mbahej larg syve të opinionit. Por, gjërat kanë shkuar keq. Prej se Gruevski refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarit hungarez të portalit 444.hu, kjo media ka publikuar një analizë më të detajuar për ngjarjen. Sipas këtij portali, takimi është zhvilluar në ndërtesën e njëjtë ku ka selinë redaksia e medias 444.hu.
Kjo media ka njoftuar se pas përpjekjeve të pasuksesshme për të intervistuar ish-Kryeministrin Gruevski, janë kthyer sërish në ndërtesë dhe kanë takuar Zv/Sekretarin në Ministrinë e jashtme hungareze Ishtvan Jo. Menjëherë është kontaktuar Ministria e Jashtme e Hungarisë për qëllimin e takimit me Gruevskin, por nga atje kanë marrë përgjigje se nuk ka asgjë të pazakontë nëse ndonjë i punësuar në Ministrinë e Jashtme të jetë në kontakt me një person i cili ka qenë kryeministër shumëvjecar në vendin e tij.
Ish-Kryeministri Gruevski të premten ka marrë pjesë në një ngjarje të biznesit në Budapest, dhe redaksia e portalit supozon se ndoshta kjo ka qenë arsyeja e takimit. Sipas medias hungareze, banesa që gjendet në afërsi të redaksisë së tyre, në të kaluarën është shfrytëzuar nga turistët. Sipas të dhënave nga regjistri për pronësi, banesa u takon dy kinezëve. Redaksia hungareze dyshon se banesa është shfrytëzuar nga shërbimet e sigurisë për realizimin e takimeve larg syve të opinionit. Portali hungarez ka vërejtur se automjeti që kishte pritur Gruevskin jashtë ndërtesës, ka pasur etiketë se po ndiqet përmes satelitit./ABC News Albania 24/7