Qeveria e Maqedonisë së Veriut me një solemnitet do ta shënojë lëshimin në përdorim të autostradës Milladinovci-Shtip. Në solemnitetit që duhet të mbahet të shtunën do të marrin pjesë Kryeministri, ministra, përfaqësues të Ambasadës së Kinës e të tjerë. Ish-Kryeministri në arrati Nikola Gruevski, nga Budapesti, përmes një postimi në Facebook ka komentuar lëshimin në përdorim të kësaj autostrade.
Gruevski sqaron se i gëzohet përfundimit, siç thotë, të arteries kryesore për Maqedoninë Lindore dhe se 85 deri 90% është ndërtuar derisa VMRO-DPMNE-ja ka qenë në pushtet. Ai ka thënë se një meritë të madhe për ndërtimin e kësaj autostrade ka edhe ish-ministri i Transportit Mile Janakievski, për të cilin janë ngritur procedura për shpërdorim të detyrës.
“Le të jetë me fat autostrada Shkup-Shtip. Këta hajnat e pushtetit, le të përpiqen së paku ta mirëmbajnë siç duhet. Të mos jetë i shkatërruar kur të kthehem! Përshëndetje nga Budapesti”, ka shkruar ish-Kryeministri Gruevski.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i socialdemokratëve në pushtet. LSDM-ja thotë se ka qenë pikërisht Gruevski, i cili ka keqpërdorur mjetet për ndërtimin e kësaj autostrade, siç thonë së bashku me bashkëpartiakun e tij, Mile Janakievski. Socialdemokratët me mesazhin se Gruevski nuk duhet të shqetësohet për mirëmbajtjen e autostradës.
“Rruga e vetme nëpër të cilën do të kalojë, kur të kthehet, është rruga që çon drejt institucioneve ndëshkuese-përmirësuese, ku e pret qelia e burgut”, tha ai.
Kjo autostradë duhej të kishte përfunduar vjeshtën e kaluar, kurse para një muaji është hapur për qarkullim. Gjatësia e autostradës është 47 kilometra dhe filloi të ndërtohet në vitin 2014, kurse ndërtimi kishte koston e 177 milionë Eurove. /ABC News Albania 24/7