Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani që çoi pas hekurave Jamarbër Malltezin dhe iu caktua masa ‘detyrim paraqitje’ ish-Kryeministrit Sali Berisha, nën akuzën për korrupsion. E njëjta masë u caktua edhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi.

Detajet nga dosja hetimore, i ka siguruar gazetarja e Klan News, Glidona Daci, e cila raporton se ka pasur një sërë shkresash mes Ministrisë së Mbrojtjes, e cila drejtohej në atë kohë nga ish-ministri Fatmir Mediu dhe ish-ministri i Ekonomisë së kohës, Genc Ruli dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Sipas dokumentave të SPAK, rezulton se një pjesë e pronave, vijonin që t’i përkisnin Ministrisë së Mbrojtjes dhe sipas planit të përhapjes dhe përdorimit të Forcave të Armatosura, i miratuar nga Zv/Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, sipas dokumentacionit, është përgjegjës administrativ, Komanda e Mbrojtjes Logjistike dhe rezulton që një pjesë e kësaj prone është në përdorim nga Forcat e Armatosura.

Më tej, në dosjen hetimore thuhet: Në vijim, lidhur me këtë pengesë, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i Dekretuar nga Presidenti i Republikës më datë 07.09.2005 (Dekreti nr. 4646), një muaj pasi kishte marrë detyrën, me shkresën nr. 9549/1 prot. datë 12.10.2005, i drejtohet METE-s, ministrit Genc Rulitit, duke i bërë me dije se, Ministria e Mbrojtjes krahas pronësive të tjera të përcaktuara në VKM nr. 515 datë 18.07.2003 ka në administrim edhe terrenet sportive ku është vendosur Klubi i Futbollit Partizani. Nga studimi i bërë në Ministrinë e Mbrojtjes, baruar në strategjinë e zhvillimit të FA dhe në kuadër të ristrukturimit të tyre, është konkluduar se këto terrene të mos përfshihen në planet e përhapjes së FA-ve. Ne këto kushte gjykojnë që të merren hapa të mëtejshme përsa i përket mënyrës dhe përgjegjësisë së administrimit të kësaj pronësie. Në vijim, me shkresën nr. 9549/3 prot date 14.11.2005, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i parashtron Ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, se: Klubi i Futbollit “Partizani” në bazë të VKM nr. 515 datë 18.07.2003 është inventarizuar. Në bazë të VKM nr. 195 datë 30.03.1998 “Për privatizimin e ndërmarrjeve që nuk mund të transformohen” propozojnë miratimin e privatizimit të objekteve dhe terreneve sportive të Klubit të Futbollit “Partizani” duke mirëpritur sugjerimet e METE në lidhje me forma të tjera.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci bën me dije se sipas dosjes hetimore, rezulton që të ketë pasur një debat të fortë mes drejtuesve të Forcave të Armostosura përsa i përket kësaj çështjeje.

“Këshilltari i Jashtëm, Genc Çelo, i cili i adresohet me një memo në vitin 2006 ish-ministrit Fatmir Mediu, ku e sqaron në lidhje me ndarjen e klubit Partizani në 2 pjesë dhe se cili institucion e ka në varësi duke ofruar dhe të dhëna dhe se Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë miratimin e privatizimit të klubit sportiv Partizani.”

Në dosjen hetimore të SPAK, rezulton të ketë pasur një sërë vendimesh, duke i hapur rrugë dhe privatimizimit të ish-kompleksit Partizani.

“Një tjetër detaj interesant në lidhje me këtë çështje është se në njërën nga pikat që është kryesore në këtë çështje, Jamarbër Malltezi, pretendohet nga ana e SPAK se pas kthimit të përgjigjeve që janë bërë shkresat mes Ministrisë së Mbrojtjes, Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Ekonomisë në shkresën 16.1.2006, rezulton se Malltezi të ketë marrë përsipër tagrat e përfaqësimit për t’u lidhur me firmën ndërtuese apo përfaqësim të Komisionit të Kthimit të Kompensimit të Pronave. Të përfaqësuarit i kanë dhënë tagra të ndryshëm shtetasit Jamarbër Malltezi, ku ndër të tjera vë në dispozicion të këtij të fundit 3 deri në 5 % të pasurisë së tyre të paluajtshme për krijimin e një fondi rezervë për përballim të shpenzimeve emergjente. Nuk rezulton e qartë se cilat do të ishin shpenzimet e shpejta dhe të paparashikuara në kuadër të të cilave do t’i jepshin Malltezit këto pjesë të pasurive të paluajtshme. Rezulton që sipas dosjes hetimore të SPAK, Malltezi nuk i kishte të gjitha paratë të krijuara në mënyrë të ligjshme për të gjitha ndërtimet që janë ndëruar mbi ish-klubin sportiv.”

Gazetarja Daci raporton se SPAK ka dyshime se në atë kohë, ish-Kryeministri Sali Berisha kishte vënë në dispozicion të gjitha institucionet për të bërë të mundur privatimin e ish-klubit Partizani./tvklan.al