Europianët do të hartojnë planin e paqes dhe do të dërgojnë trupa e avionë, Trump do ta negociojë me Putinin

Të mbledhur me urgjencë në Londër, udhëheqësit europianë plus kryeministri i Kanadasë ranë dakord të hartojnë një plan paqeje për Ukrainën dhe pas do t’ia çojnë presidenti Trump për ta negociuar me Putinin. Ky hap është konsideruar jetik për Uashingtonin që të jetë në gjendje të ofrojë garanci sigurie.

Udhëheqësit europianë ranë gjithashtu dakord të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen për t’i treguar Trumpit se kontinenti mund të mbrohet dhe pa mbështetjen amerikane.

“Së pari, do të sigurojmë vazhdimin e ndihmës ushtarake dhe do të rrisim presionin ekonomik ndaj Rusisë për të forcuar Ukrainën. Së dyti, ne duam një paqe të qëndrueshme që të sigurojë sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës dhe Ukraina të jetë në çdo tryezë bisedimesh. Së treti, në rast të një marrëveshjeje paqeje, ne do të vazhdojmë të rrisim aftësitë mbrojtëse të Ukrainës për të penguar çdo pushtim të mëtejshëm në të ardhmen dhe së katërti, do të ngrihet një “koalicion i shteteve të gatshme” për të mbrojtur Ukrainën dhe për të garantuar paqen në vend”, tha kryeministri i britanisë Keir Starmer.

Starmer nuk tha se cilat vende janë të gatshme për të dërguar trupa, por vetëm se ka shumë prej tyre. Britania, tha ai, është gati të dërgojë trupa dhe avionë luftarakë në Ukrainë.

“Mbretëria e Bashkuar është e përgatitur ta mbështesë këtë nisme me trupa në teren dhe aeroplanë në ajër. Së bashku me të tjerët, Europa duhet të bëjë pjesën e vështirë, por për të mbështetur paqen në kontinentin tonë dhe për të pasur sukses, duhet të kemi mbështetjen e fortë të ShBA-së”, thekson Starmer.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se qeveria britanike do ta lejojë Ukrainën të përdorë 1.6 miliardë Paund nga financat e eksportit për të blerë mbi pesë mijë raketa të mbrojtjes ajrore.

Pas debatit tronditës mes Trumpit dhe Zelenskiyt në Zyrën Ovale në Europë lindi frika për tërheqjen e mbështetjes amerikane për Ukrainën ndaj dhe misioni kryesor tani është garancia se Kievi nuk do të përjashtohet nga bisedimet.

Për ta bërë këtë, disa liderë thanë se duhet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se Europa duhet të riarmatoset me shpejtësi. Ajo paralajmëroi lehtësimin e rregullave për marrjen e borxhit.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se ulja e kapaciteteve ushtarake të Ukrainës siç kërkon Rusia është e papranueshme. Ai tha se Kievit i duhet një ushtri e fortë.

Liderët europianë, veçanërisht kryeministri britanik Starmer dhe shefi i NATO-s Mark Rutte, i kërkuan Zelenskyt t’i kërkojë ndjesë Trumpit dhe të riparojë marrëdhënien me të.

Pas samitit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u takua me Mbretin Charlestë Britanisë në rezidencën Sandringham.

Klan News