Policia e Lezhës ka shoqëruar në komisariat disa persona pas vrasjes së 51-vjeçarit Anton Keli pasditen e së martës në Rrëshen.
Mësohet se janë marrë në pyetje persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Por pavarësisht shoqërimeve të shumta, deri më tani nuk ka asnjë të ndaluar. Nga burime të Policisë së Lezhës mësohet se nuk ka ende asnjë të dhënë konkrete rreth autorëve të vrasjes së Anton Keli.
51-vjeçari u qëllua me armë nga persona të paidentifikuar rreth orës 17:40 të së martës në qytetin e Rrëshenit. Fillimisht mbeti i plagosur por më pas ndërroi jetë në spital.
Anton Keli është i afërm i Tonin Gjinit, i njohur edhe me emrin Armando Gjini, i cili u ekzekutua më 12 Gusht 2019 në qytetin e Rrëshenit. Ngjarja ndodhi në mes të ditës kur Tonin Gjini po priste në makinë bashkëshorten e tij.
Një vit më vonë u tentua të vritet edhe vëllai i Tonin Gjinit. Preng Gjini mbeti i plagosur nga një shpërthim të fuqishëm me tritol që tronditi Tiranën më 15 Shtator 2020. Preng Gjinit i ishte vendosur një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive poshtë makinës. /tvklan.al