Në ditën botërore të shëndetit mendor në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” mëngjesin e sotëm ishte i ftuar profesor/ doktor Mentor Petrela. Duke i dhënë rëndësi të veçantë shëndetit mendor ai u shpreh se problemet e trurit ndryshojnë nga ato të mendjes.
Në një kohë kur teknologjia po evoluon me ritme shumë të shpejta profesor Petrela u shpreh se duket sikur po jetojmë në një botë krejt ndryshe për shkak të varësisë që kanë krijuar njerëzit ndaj mjeteve të komunikimit, duke dhënë kështu një efekt negativ në shëndetin e tyre mendor.
Aldo: Profesor kur quhet një person me probleme të shëndetit mendor?
Mentor Petrela: Problemet e shëndetit mendor mund të vijnë edhe kur ju bëni një rezonancë që është mjeti më i mirë për të eksploruar strukturën e trurit normal. Shumë njerëz duke pasur probleme të mendjes i drejtohen menjëherë rezonancës, ajo që eksploron më mirë trurin sot, por nga të dhënat kanë dalë që ka shumë njerëz që e kanë trurin perfekt në rezonancë dhe kanë probleme shumë të thella me mendjen.
Pyetjet e njerëzve janë të shumta dhe duhet të kuptojmë një gjë që jetojmë në një shoqëri që, kur u shpik rryma elektrike u përshpejtua shumë shpejtësia e mendimit apo komunikimit. Dhe njerëzit, futen në ankthin e shpejtësisë. Ne tani jemi në ankthin e shpejtësisë sepse të gjithë njerëzit janë të varur nga mjetet e komunikimit dhe ajo që është bërë lidhja e botës me këtë mënyrë kaq të rrëmujshme, i ka bërë njerëzit që të duken të varur në këto mjete. Dhe duke qenë të varur ata presin gjatë gjithë kohës lajme, qofshin të mira apo të këqija. Nëse rrinë pa haber janë në ankth dhe ky ankth transferohet në një farë mënyre në një gjendje që pastaj njerëzit fillojnë humbasin imagjinatën. Pra janë në një botë tjetër./tvklan.al