Dhoma Amerikane të Tregtisë mbledh miqtë në këtë festë
“Thanksgiving” ose Dita e Falenderimeve është një festë me rrënjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një mënyrë për t’u bashkuar në familje dhe me miq në një vatër e ngrohtë. Kjo traditë po kthehet e zakonshme dhe në Shqipëri ku pjesëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë u mblodhën sëbashku me familjet dhe miqtë e tyre.
“Unë studioja në universitet dhe në atë kohë të gjithë u larguan për t’u kthyer në familjet e tyre dhe të gjithë më ftuan që të festoja me ta dhe familjet e tyre “Thanksgiving”. Ishte mjaft e veçantë për mua dhe më ndihmoi të kuptoja se sa është e orientuar drejt familjes kjo festë e ngrohtë mikëpritëse dhe shpirtërore dhe sa e natyrshme është ta festosh atë në Amerikë. Kur erdha në Shqipëri kuptova që vendi më i mirë për të festuar “Thanksgiving” është Dhoma Amerikane e Tregtisë”, tha Enio Jaço, President i AmCham.
Dhoma Amerikane e Tregtisë kishte një partner në këtë ide, Agjencinë Vatra.
“Një Vatër pa një Dhomë nuk ka kuptim ndaj, Vatra për ne ka qenë dhe është një mundësi unike për të zhvilluar komunikimin dhe raportet njerëzore. Dhe pikërisht, Dita e Falenderimeve, mendoj që është dita e duhur për tu ndalur dhe vlerësuar çdo sekondë të këtij udhëtimi, pasi në përditshmërinë tonë, shpesh harrojmë të reflektojmë për atë që kemi, dhe të themi; faleminderit për jetën, për familjen, për miqtë”, u shpreh Gerton Bejo.
Një mbrëmje e këndshme ku secili gjeti veten. Fëmijët me lodrat e tyre, ndërsa të rriturit për të shkëmbyer një bisedë me miqtë, të cilët i konsiderojnë një familje.
Tv Klan