Pas kritikave të ashpra për dhunën në protestën e së shtunës dhe vendimin për djegien e mandatave, ambasadorët kanë shkuar në zyrën e Bashës. Fillimisht në selinë blu ishte diplomatja gjermane dhe më pas ai i bashkimit Europian. Soreca tha pas takimit se kishte njohur Lulzim Bashën me qëndrimin e prerë të Brukselit, duke i kërkuar kreut demokrat që në protestën e nesërme të opozitës të shmangen aktet e dhunës.
“Është e rëndësishme të flasësh, ne po flasim me të gjithë palët. Nesër është një ditë e rëndësishme, shpresoj të mos ketë dhunë”
, tha ambasadori i BE-së.
Kreu demokrat nuk dha prononcim për mediat rreth takimeve me ambasadorët, por zgjodhi të akuzojë qeverinë nga rrjetet sociale duke kujtuar rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha në 20 Shkurtit të vitit 1991.
“28 vite më pas, jemi përballë një sfide të ngjashme. Një regjim antidemokratik, oligarkik, i ardhur në pushtet nga blerja e votave përmes krimit të organizuar, po zhbën ëndrrën e shqiptarëve për Shqipërinë si gjithë Europa. Ndonëse nuk kemi shtatore për të rrëzuar, çdo ditë për ne është 20 Shkurt, derisa të shembim sistemin që e mban Shqipërinë peng të krimit dhe korrupsionit”.
Zëri më kritik ndaj opozitës ishte ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ambasada i bëri thirrje deputetëve të refuzojnë djegien e mandateve pasi në këtë mënyrë minohet demokracia në vend.
Tv Klan