Megan Thee Stallion fitoi urdhrin e mbrojtjes ndaj Tory Lanez pasi deklaroi se ai vazhdon ta kërcënojë nga burgu ku po vuan një dënim 10-vjeçar për plagosjen e saj.
Sipas TMZ, një gjykatës i Los Anxhelesit vendosi që Lanez i ndalohet kontakti me të dhe as nuk mund t’i afrohet për pesë vitet e ardhshme. Urdhri i mbrojtjes përfundon më 9 janar 2030, tre vite para se Lanez të përfundojë dënimin.
“E dua urdhrin e mbrojtjes sepse nuk kam qenë e qetë qëkur më qëlloi”, u shpreh reperja përpara gjykatësit. Muajin e shkuar, Megan kërkoi urdhrin e mbrojtjes duke thënë se Tory po i ushtronte “presion psikologjik” duke përdorur një ushtri blogerësh që të postojnë deklarata për të prishur imazhin e saj.
Madje ajo tha se përmes babait të tij, Lanez po bën pagesa të majme kryesisht ndaj një blogeri.
“Ndihem sikur do të më qëllojë prapë dhe kësaj here nuk do t’ia dal”, tha ajo e prekur. Më pas shtoi se nuk del nga shtëpia pasi “është nervoze gjithë kohën” dhe duhet të rezistojë edhe ndaj njerëzve që ulërasin “Lironi Tory” gjatë koncerteve të saj.
Me këtë urdhër mbrojtjeje, Tory duhet të qëndrojë rreth 100 metra larg saj, shtëpisë, punës dhe makinës së këngëtares, çka do të jetë e realizueshme pasi ndodhet në burg.
Gjithashtu e ndalon të kërcënojë, kanosë apo shqetësojë Megan. Ai s’mund ta kontaktojë në asnjë mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, me celular apo elektronikisht.
Në dhjetor 2022, Lanez u shpall fajtor pasi e qëlloi këngëtaren në këmbë në qershor të 2020-ës. Ai u akuzua për sulm me armë gjysmëautomatike, armatosje dhe armëmbajtje pa leje. Më vonë, ai u dënua me 10 vite burg dhe duhet të lirohet në vitin 2033. Por në shtator 2029, Lanez mund të dalë në liri me kusht./tvklan.al