Gjokuta: Po nisim aksionin edhe te cigaret, kafeja dhe pijet alkoolike
Duke nisur nga fillimi i muajit korrik e deri më sot, janë 64 biznese që janë ndëshkuar me gjobë nga administrata doganore, penalitete të cilat kapin vlerën e 1.1 milion Eurove.
Në një intervistë për Televizionin Klan, drejtori i Përgjithshëm i Doganave Arlind Gjokuta, thotë se kontrollet e ushtruara nuk janë të rastësishme, por pas disa muajve analizë nga ana e strukturave doganore është konstatuar se shumë subjekte kryejnë evazion fiskal.
Kontrollet në këtë periudhë janë përqëndruar te sektori i karburanteve, të cilët rezultojnë të jenë dhe shkelësit më të mëdhenj. Arlind Gjokuta tregon se këtë muaj aksioni do të nisë i imtësishëm edhe në mallrat e tjerë të akcizës si kafeja, cigaret dhe pijet alkoolike.
Inspektorët janë duke monitoruar fillimisht bizneset e mëdha, për të ndjekur me pas gjurmimin e faturës te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Vetëm në 6 javët e fundit strukturat e doganave kanë kontrolluar 954 subjekte. Në bazë të shkeljeve të gjetura, bizneset e penalizuara kanë tentuar të shmangin pagesën e gjysmë milion Euro taksa.
Tv Klan